• Projekti siguron qasje më të mirë në shërbimet e ujërave të zeza për mbi 213,000 banorë në Komunën e Mitrovicës në Kosovë
  • Ky është investimi i dytë i BEI-së në impiantet e trajtimit të ujërave të zeza dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë
  • Projekti do të ulë ndotjen e burimeve ujore dhe do të përmirësojë standardet sanitare

Banka Evropiane e Investimeve (EIB), banka e Bashkimit Evropian, vazhdon të mbështesë infrastrukturën jetike në Kosovë duke investuar 19.8 milionë euro për ndërtimin e një impianti të ri për trajtimin e ujërave të zeza dhe për rehabilitimin e zgjerimin e sistemit ekzistues të grumbullimit të ujërave të zeza në Komuna e Mitrovicës. Projekti do të mundësojë akses në shërbimet moderne sanitare për mbi 213,000 njerëz, duke mbrojtur mjedisin dhe shëndetin publik. Ky është investimi i dytë i BEI-së në sektorin e ujit në Kosovë që nga viti 2020, kur BEI-ja zhbllokoi edhe 11 milionë euro të tjera për një objekt për trajtimin e ujërave të zeza dhe rehabilitimin e kanalizimeve ekzistuese në Komunën e Gjilanit.

Zhvillimi i një infrastrukture kaq të madhe do të ofrojë shërbime të nivelit të lartë sanitar, do të ndihmojë në uljen e ndotjes së mjedisit dhe do të përmirësojë lidhjen duke reduktuar ndotjen ndërkufitare, veçanërisht në lumin Ibër dhe degët e tij. Meqenëse investimi do të përmirësojë kushtet e jetesës duke kontribuar në rimëkëmbjen dhe rritjen ekonomike e sociale, ai ofrohet nën Nismën e BEI-së për Rimëkëmbjen Ekonomike. Projekti mbështetet nga asistenca teknike dhe grante investimi për përgatitjen dhe zbatimin në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (KIBP) dhe bashkëfinancohet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Zëvendës-presidentja e BEI-së Lilyana Pavlova, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, tha: “Jemi të lumtur që nënshkruajmë investimin e dytë për sektorin e ujërave të zeza në Kosovë në më pak se dy vjet. Projekti mbështet objektivat e Agjendës së Gjelbër për mbrojtjen e mjedisit dhe Planit Ekonomik dhe të Investimeve, veçanërisht Objektivin 7 – Menaxhimi i Mbetjeve dhe Ujërave të Zeza. Shërbimet moderne sanitare do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës për njerëzit në Mitrovicë dhe do të rrisin qëndrueshmërinë ndaj fatkeqësive natyrore dhe ndryshimeve klimatike. Në një shkallë më të gjerë, ai do të nxisë përparimin socio-ekonomik dhe lidhjet rajonale, duke e ndihmuar vendin në të njëjtën kohë që të adresojë sfidat e tij më urgjente infrastrukturore në përputhje me kërkesat mjedisore të BE-së dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor.”

Hekuran Murati, Ministër i Financave dhe Transfereve në Republikën e Kosovës, shtoi: “Mirëpres dhe mbështes fuqishëm fillimin e projektit për ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Mitrovicës, gjë që pasqyron po ashtu përkushtimin e Qeverisë në përmbushjen e premtimeve të saj ndaj qytetarëve. Projekti është një hap i fortë drejt mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit publik, qëllime të cilat janë theksuar në programin tonë qeverisës. Për më tepër, projekti e sjell Kosovën më aftër në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, përmes përafrimit me parakushtet mjedisore, veçanërisht me Direktivën e BE-së për Trajtimin e Ujërave të Ndotura Urbane. Shpresoj ta shohim projektin duke marrë formë dhe jemi të vendosur ta udhëheqim atë drejt finalizimit falë mbështetjes dhe bashkëpunimit tuaj të vazhdueshëm.”

Tomáš Szunyog, kreu i zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së. ““BE-ja, si mbështetëse prej shumë kohësh e mjedisit, ka mbështetur përgatitjen e projektit dhe po e bashkëfinancon këtë investim të rëndësishëm me vlerë 5 milionë euro nëpërmjet KIBP. Projekti synon të përmirësojë kushtet mjedisore, duke minimizuar ndotjen në lumin ndërkufitar të Ibrit dhe përmirësuar mirëqenien sociale të qytetarëve në rajonin e Mitrovicës.

Të dhëna bazë:

Rreth BEI-së në Ballkan

BEI-ja është një financues kryesor ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Që nga viti 2009, banka ka financuar projekte me vlerë mbi 9 miliardë euro në rajon. Përveç vijimit të mbështetjes së saj për rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, që prej vitit 2010, BEI-ja është shtrirë në shumë fusha të reja, të tilla si kujdesi shëndetësor, kërkimi dhe zhvillimi, arsimi dhe NVM-të. Për informacion të detajuar mbi veprimtaritë e BEI-së në Ballkanin Perëndimor, klikoni faqen e mëposhtme të internetit: www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans. Për më shumë informacion në lidhje me projektet e BEI-së në Kosovë, ju lutemi referojuni: https://www.eib.org/en/projects/regions/enlargement/the-western-balkans/kosovo/index.htm

Nisma për Rimëkëmbjen Ekonomike

Nisma për Rimëkëmbjen Ekonomike (NRE) u krijua në vitin 2016 në përgjigje të një thirrjeje nga Këshilli Evropian. Objektivi i nismës është të ndihmojë në ndryshimin e modeleve të emigrimit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe të ofrojë mbështetje për popullsitë e zhvendosura me forcë, duke rritur rimëkëmbjen ekonomike ndaj goditjeve të ardhshme. NRE e realizon objektivin e saj duke mobilizuar financat për të mbështetur rritjen, krijimin e vendeve të punës, projektet jetike të infrastrukturës dhe kohezionin social në rajonet fqinje të BE-së. Për më shumë informacion, ju lutemi ndiqni lidhjen në vijim: https://www.eib.org/en/projects/initiatives/resilience-initiative/index.htm

Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF)

Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (KIBP) është një instrument i përzier rajonal që mbështet zgjerimin e BE-së dhe zhvillimin socio-ekonomik në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. KIBP-ja u krijua në 2009 si një nismë e përbashkët e Komisionit Evropian, Bankës së Këshillit të Evropës për Zhvillim, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane të Investimeve dhe disa donatorëve dypalësh.

Për Team Europe dhe përgjigjen ndaj COVID-19 në Ballkanin Perëndimor:

Si pjesë e strategjisë #TeamEurope, përgjigjja globale e BE-së ndaj COVID-19, Grupi BEI ka mobilizuar me shpejtësi 5,2 miliardë euro jashtë BE-së, duke përshpejtuar financimin dhe asistencën e fokusuar teknike. Veçanërisht për vendet e Ballkanit Perëndimor, BEI ka përgatitur një paketë të menjëhershme mbështetjeje prej 1,7 miliardë eurosh, kryesisht për NVM-të dhe sektorët shëndetësorë (https://www.eib.org/en/press/all/2020-111-eib-group-to-contribute-eur1-7-billion-to-the-eu-s-covid-19-response-package-for-the-western-balkans). Paketa e përgjithshme e mbështetjes financiare të BE-së për Ballkanin Perëndimor arrin në mbi 3,3 miliardë euro. 

 

* Ky përcaktim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve mbi statusin dhe është në përputhje me UNSCR 1244/1999 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës